Një nga format më të këqija të ndotjes plastike mund të ketë tashmë përballë armikun e barabartë, të gjendur në pështymën e një krimbi të thjeshtë.

Kërkuesit spanjollë thonë se kanë zbuluar një kimikat në jargët e një krimbi dylli që shpërbën polietilenin, një material i fortë dhe rezistent. Sipas shkencëtarëve, një orë ekspozim në pështymë është e barasvlershme me vite të tëra dekompozimi.

Ata shpresojnë se ky zbulim do të jetë një derë e re në qasjen ndaj ndotjes nga plastika.

Në jargët e krimbit ndodhen dy enzima që degradojnë polietilenin në temperaturë ambienti dhe mendohet se është hera e parë që një agjent kaq efektiv të gjendet në natyrë.

Polietileni është një nga format më të përhapura të plastikës që përbën rreth 30% të prodhimit  dhe përdoret në një varietet të gjerë produktesh si tubacione, dysheme dhe shishe, por edhe për qese apo kontenierë.

Për shkak të dendësisë së lartë, shpërbërja në natyrë kërkon shumë kohë sepse është rezistent ndaj oksigjenit. Përpjekjet për ta shpërbërë nisin me një trajtim fillestar me rreze ultravjollcë ose nxehtësi për të futur oksigjenin brenda polimerit.

Krimbat e dyllit janë parazitë që sulmojnë dhe hanë kosheret e bletëve, ndaj aftësia e tyre për të shkatërruar edhe dyllin e bletëve mund të shpjegojë ‘ngrënien’ e polietilenit./tvklan.al