Qepja luan një rol kyç në kirurgji për të ndihmuar shërimin e indeve. Tani kirurgët kanë krijuar një lloj qepjeje që thonë se do të përshpejtojë shërimin e plagëve dhe do të pakësojë rrezikun e infektimit.

Kur kjo qepje ekspozohet ndaj lëvizjeve, stimulon plagën me elektricitet. Dr. Chengyi Hou shpjegoi se:  “Qepja me stimulim elektrik është një material tërësisht i biodegradueshëm dhe vetë-elektrik. Ai ndihmon në shërimin e plagëve pa nevojën e pajisjeve të jashtme elektrike”.

Stimulimi elektrik njihet për përshpejtimin e shërimit të plagëve përmes disa mekanizmave siç është migrimi i qelizave drejt zonës së lënduar.

Ekipi shkroi në Nature Communications se qepjet e reja kanë një filament magnezi të mbështjellë me një polimer të biodegradueshëm. Kjo vendoset në një këllëf të përbërë nga një tjetër material i biodegradueshëm.

Kirurgët bënë disa eksperimente me të në fibrat e muskujve artificialë dhe minjve të lënduar.

Rezultatet treguan se kur qepjet tërhiqen dhe pjesa e brendshme lëviz në këllëf, përbërësit ngarkohen elektrikisht, njësoj si tullumbaci që fërkohet në flokë.

Përmes eksperimenteve në pjatat laboratorike, u zbulua se ritmi me të cilat qelizat migrojnë rritej kur ndodheshin në një fushë elektrike, ndërsa stimulimi elektrik pakëson edhe shtimin e baktereve.

Në eksperimentet te minjtë rezultoi se çarjet në muskujt e tyre që ishin të qepura me materialin e ri shëroheshin më shpejt dhe numri i pakët i baktereve është i rëndësishëm për të ulur rrezikun e infeksioneve pas operacionit.

Pas 10 ditësh plagët ishin të shëruara thuajse plotësisht, ndryshe nga ç’ndodh në rastet kur nuk ka qepje ose kryhet me penjtë e zakonshëm./tvklan.al