Gjatë muajit Shtator 2024 janë finalizuar 82 operacione policore dhe u arrestuan 527 autorë të dyshuar krimesh. Policia e Shtetit njofton se janë nxjerrë para drejtësisë 16 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Shqipërisë ose shteteve të tjera.

Janë asgjësuar më shumë se 10 mijë fidanë/bimë kanabisi (disa në proces tharjeje), si dhe janë sekuestruar 24 armë zjarri, sasi tritoli, 6 ndezës granatash, pjesë armësh, rreth 33 kg kanabis, 1,8 kg kokainë, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve dhe të lëndëve LSD, metamfetaminë dhe ekstazi.


Njoftimi i Policisë:

Janë goditur 4 grupe kriminale, konkretisht:

-në Tiranë megaoperacioni “Tempulli 4” arrestoi në flagrancë 15 shtetas që shitnin lëndë narkotike në ambiente që frekuentoheshin nga të rinjtë;

-në Vlorë u arrestuan 9 shtetas që shitën lëndë narkotike gjatë një koncerti në plazhin e Delisufit;

-operacioni “No chance” vuri në pranga 8 shtetas që falsifikonin dokumente që shërbenin për kalime ilegale të kufijve;

-operacioni “Electronics” nxorri përpara përgjegjësisë penale 4 shtetas kinezë që tentuan të kontrabandonin nëpërmjet PKK Rinas, pajisje elektronike, të cilat i përdornin për lojëra fati dhe për prostitucion.

është parandaluar përshkallëzimi i 2 konflikteve me armë zjarri, në familje dhe mes fqinjësh, në Vlorë. I njëjti qark ka finalizuar operacionin “Knock out 7”, gjatë të cilit u parandaluan ngjarje të rënda kriminale të cilat mund të kryheshin me 10 pistoletat e sekuestruara nga Policia, në tentativë për t’i shitur në Sarandë;

janë zbardhur 2 vrasje të kryera në Shënavlash, Durrës, dhe në Shkodër, gjatë muajit gusht, si dhe është zbardhur një plagosje e dyfishtë me armë zjarri, e kryer në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe;

operacionet “Exchange”, “Sundimi i ligjit”, “Falco”, “Kopja” dhe “Storm 25” kanë zbardhur vjedhje në Tiranë, Lushnjë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkaq, janë parandaluar 1 vjedhje me armë zjarri në fshatin Nikç, Shkodër, dhe vjedhja në një banesë në Durrës;

janë goditur 23 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojës Poker, lojërave me makineta dhe basteve sportive. Në këtë kuadër, janë zbuluar disa lokale të përshtatura për këtë paligjshmëri;

gjatë operacioneve “Apps”, “Flop” dhe “Përsëritësi”, janë vënë në pranga 3 shtetas që mashtronin qytetarë, për t’iu marrë shuma të konsiderueshme parash;

më tej, sektorët kundër krimeve ekonomike në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Fier kanë goditur 6 raste të kontrabandës së naftës, bizhuterive, celularëve dhe cigareve;

strukturat e specializuara për goditjen e krimeve kibernetike finalizuan 2 operacione policore në këtë fushë dhe kontribuan për zbardhjen e vrasjes në Shënavlash;

janë goditur 4 raste të transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimet ilegale të kufijve;

janë trajtuar ligjërisht 114 raste të dhunës në familje dhe është reaguar shpejt, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, për 12 raste zjarresh;

iu është dhënë ndihmë në 25 raste nevoje, shtetasve që ishin bllokuar në zona malore ose detare, për shkak të motit ose defekteve në mjetet me të cilat ata lëviznin;

janë bllokuar 35 mjete lundruese, pasi drejtuesit lundronin në cenim të perimetrit të sigurisë dhe/ose nuk kishin dokumentet e nevojshme. Masat administrative për këto shkelje variuan nga 10 000 – 110 000 lekë.

Si rezultat i kontrolleve:

-janë vënë në pranga 148 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 47 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;

-janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat 127 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 67 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 251 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

 Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre prioriteteve, janë goditur 43 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 12 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike dhe 2 raste të mosdeklarimit të parave në kufi.


/tvklan.al