Një çift me origjinë shqiptarë janë vënë në prangat e policisë spanjolle këtë të Mërkurë. Siç shkruajnë mediat atje, çifti i të rinjve, përkatësisht 22 dhe 27 vjeç merreshin me kultivimin e marijuanës.

Janë kapur 809 bimë marijuane me peshë më shumë se 177 kg. Agjentët e Policisë Kombëtare spanjolle nisën hetimet për rastin që në fillim të muajit të shkuar. Në afërsi të shtëpisë së tyre në Ador u vendosën kamera, ndërsa era e fortë e lëndës narkotike ndihej edhe në ambjentet e jashtme.


Operacioni policor kulmoi sot më 5 Qershor pas një kontrolli intensiv të banesës, e cila ishte thuajse e gjitha në dispozicion të aktivitetit kriminal. U lokalizuan 3 ‘plantacione’ me marijuanë, instalime elektrike e hidraulike.

Dy të rinjtë akuzohen për “kultivim të lëndës narkotike”, “mashtrim me energjinë elektrike” si dhe “krim kundër shëndetit publik”. Ata nuk kanë precedent të mëparshëm penal, ndërsa është urdhëruar burgosja e tyre./tvklan.al