Pilar Hernando jeton në këtë rulotë në periferi të Palma de Mallorca. 45-vjeçarja, e cila e ka patur të pamundur të gjejë punë në bare dhe restorante, thotë se nuk mund të përballojë çmimet e qirave që janë rritur ndjeshëm, pjesërisht për shkak të një bumi turistik në ishullin e njohur spanjoll.

“Gjithçka rritet, çmimet rriten, qiratë rriten, gjithçka rritet, gjithçka rritet… përveç pagës”, tha ajo.

Ajo është një nga një numër i madh banorësh në ishullin e Majorkës që përdorin rulotë në kampe të improvizuara.

Ajo nuk mund të përballojë qiratë e atyre pak banesave të mbetura pasi pronarët në Spanjë preferojnë t’ua japin me qira turistëve ,një trend gjithnjë e në rritje që ka shkaktuar një krizë të madhe strehimi dhe ka bërë që mijëra spanjollë  të ngrihen e të protestojnë në qytetet më të vizituara të Spanjës.

“Të mos bësh dush siç duhet të bëj është gjëja më e vështirë për mua. Unë shkoj lahem në një qendër sportive”, tha Herndandes.

Në ishull ka vetëm 3 hapësira ku mund të parkohen rulotë të tillë. Autoritetet lokale kanë siguruar një sistem riciklimi, por banorët e tij thonë se ka vetëm një vend në ishull për të hedhur ujërat e zeza.

Ata thonë se nuk lejohen të hapin dritaret apo të vendosin tavolinë jashtë, sepse janë të  vendosur në një hapësirë ​​publike.

Policia i ka kërcënuar me gjoba ndërsa pushteti vendor tha se nuk mund t’u ofrojë më lehtësira dhe i referuar ata tek shërbimet sociale.

Aktivistët kundër turizmit në Spanjë thonë se vizitorët rrisin kostot e strehimit dhe bëjnë që banorët të mos jenë në gjendje të përballojnë jetesën në qendrat e qytetit.

“Ka shumë turistë… pronarët vendosin çmime super të larta qiraje sepse e dinë që çdo javë do tu vijnë njerëz të ndryshëm”, tha sinkron Begona Iglesias, banore e Majorkës.

Turistët e huaj duket se po preferojnë e gjithnjë e më shumë marrjen me qira të shtëpive të pushimit përmes aplikacioneve të tilla si Airbnb kur udhëtojnë, por kjo është kthyer në një problem për vendasit.

“Nuk mund të justifikohet rritja e qirave të banesave… Ne nuk dimë si ta përshkruajmë këtë situatë, sidomos që ne që jemi nga ky ishull dhe duhet të jetojmë në këtë mënyrë, kjo nuk mund të justifikohet”, tha Aina Ana Maria, banore e Majorkës.

Aina Anamaria, 48 vjeçe, mori një kredi për të blerë një rulotë  të cilën e paguan me këste mujore prej 323 Euro, rreth gjysmën e pagës prej 700 euro që merr duke punuar në një dyqan.

Marrja me qira e një dhome në një apartament në ishull zakonisht kushton 400-500 euro, thotë ajo.

“Për një dhomë marrin nga 400 deri në 500 euro, pra vetëm për një dhomë… Zgjodha të blej rulotën që ishte 7000 euro, kërkova një kredi personale nga banka dhe po paguaj 323 euro në muaj për këtë”, thotë Anamaria

“Ne jemi pushtuar nga turizmi dhe gjithçka është për turizmin. Do të ishte mirë nëse do të kishim diçka si një vend kampi apo diçka të tillë, apo një zonë të mirë që do të hapej disa muaj në vit”, tha Andrea Savioti, pronare e rulotit.

Ankesat e banorëve kanë të bëjnë ndër të tjera me probleme në tregun e pasurive të paluajtshme, të shkaktuara nga qiratë e shtrenjta. Ata ankohen për ndotjen e mjedisit nga turistët, por edhe zhurmat.

Vetëm në Barcelonë qiratë janë rritur me 68% në dhjetë vitet e fundit. Më herët, Këshilli Bashkiak në këtë qytet njoftoi se duke filluar nga viti 2028 do të ndalonte dhënien me qira të shtëpive. Në vend të kësaj, më shumë se 10.000 shtëpi pushimi, do të vihen në dispozicion edhe një herë për vendasit.

Jaume Collboni, kryetari i bashkisë së qytetit, i ka përshkruar masat si “një pikë kthese” në trajtimin e problemit të aksesit në strehim, veçanërisht për të rinjtë. Ai pranoi se rezultatet nuk do të jenë të menjëhershme, por beson se do të hapin një debat të rëndësishëm politik dhe social.

Barcelona planifikon të rrisë taksën turistike për tragetet që qëndrojnë në qytet për më pak se 12 orë. Këtë e ka bërë të ditur kryebashkiaku Jaume Collboni në një intervistë për gazetën El Pais. Vendimi vjen vetëm disa javë pasi protestuesit në Barcelonë spërkatën me ujë gjatë një demonstrate vizitorët e huaj duke brohoritur: “Turistë kthehuni nga keni ardhur”

Këtë vit pritet që turistët në Spanjë ta kalojnë shifrën e 100 milionëve, shifër kjo që është dyfishi i popullsisë vendase.

Klan News