Një aksident tragjik i mori jetën një 28-vjeçari shqiptar në Brescia të Italisë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00 të së mërkurës. I riu shqiptar, i identifikuar nga mediat fqinje si Iralt Merdita, po udhëtonte me motor dhe po kthehej nga puna, kur u përplas me një makinë.

Ai u dërgua në spitalin e Brescia-s në gjendje kritike për jetën dhe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. I riu shqiptar mësohet se punonte si mekanik dhe jetonte në Ghedi.

Nga të dhënat e para, të raportuara nga mediat italiane, motori dhe makina udhëtonin në të njëjtin kah të rrugës. Përplasja e fortë ndodhi në afërsi të një karburanti. 28-vjeçari fluturoi disa metra përpara se të përplasej në asfalt, ndërsa motori i tij u nda në dysh.

Sa i përket gruas që ishte në timonin e makinës, bëhet fjalë për një 40-vjeçare, po ashtu me origjinë shqiptare. Ishte ajo që njoftoi ekipet e emergjencës dhe u përpoq t’i vinte në ndihmë të riut shqiptar. Ajo po ashtu ndodhet në spital, në gjendje shoku dhe me dëmtime nga aksidenti./tvklan.al