Një 54-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Rrilë të Lezhës. Agron Puka ishte duke lëvizur me makinë kur u plagos nga një person i paidentifikuar.

54-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës ku është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 08:00, në fshatin Rrilë, shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, duke lëvizur me automjet, është plagosur me armë zjarri nga 1 person ende i paidentifikuar. 54-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, ku është në kujdesin e mjekëve (aktualisht jashtë rrezikut për jetën). Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje, është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli. Njëkohësisht, në ndihmë të Policisë vendore, janë nisur Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër”, tha policia.

Burime për gazetarin Martin Marku bëjnë me dije, se Puka është qëlluar disa herë në automjetin e tij tip “Audi” duke lëvizur në qendër të Rrilës pasi ka qenë duke lënë fëmijët në shkollë.

Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik te nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, pasi nga të shtënat janë rrezikuar dhe ata.

Policia tha se me marrjen e njoftimit ka shkuar në vendngjarje ku kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika të shumta kontrolli. Deri më tani nuk dihet motivi se pse është plagosur 54-vjeçari Puka.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.

Siç raporton gazetari Marku, pista kryesore e hetimeve është një konflikt i pak ditëve më parë, por deri më tani nuk ka shumë detaje lidhur me këtë ngjarje.

54-vjeçari Puka punonte tek një stallë bagëtish ndërsa nga policia bëhet me dije se i plagosuri nuk ka precedent penal./tvklan.al