Muajt e fundit, kronika e zezë ka mbizotëruar në Shqipëri duke tronditur me lajmet për dhunë e deri në vrasje në familje. Gëzim Tushi shfrytëzoi  hapësirën e tij në programin “Rudina”  në Tv Klan që tashmë gjatë të shtunave do të sjellë edhe fjalime të të ftuarve për një temë të lirë, ndaj sociologu zgjodhi t’i referohej ngjarjeve të fundit.

Në fjalimin e tij, ai theksoi se është e rëndësishme që këtij fenomeni t’i vihet fre sepse viktimat kryesore janë gratë e fëmijët. Në këndvështrimin e tij, puna duhet bërë në dy fronte: ndryshimin dhe forcimin e edukimit e njëkohësisht, ndëshkimi.

“Kemi pasur humbje njerëzish në këto kohë, kemi pasur një dhunë të shtuar në familje, një proces që unë e quaj ndonjëherë, demokratizim të dhunës. Dhunë në familje, dhunë në shoqëri, zgjerim të kriminalitetit, kjo limfë që është hapur dhe zgjeruar ka krijuar një situatë me të vërtetë shqetësuese. Unë mendoj që është momenti që këtij fenomeni social, kësaj patologjie sociale, duhet t’i vëmë fre. E para njëherë, që dhuna në shoqërinë shqiptare është drejtuar në mënyrë radikale mbi dy kategori kryesore. viktima të dhunës, për fat të keq janë gratë, janë edhe fëmijët. Gratë jo vetëm në familje, pikërisht në këtë institucion që duhet të ishte institucioni i paqes, i sigurisë, i atmosferës, i partneritetit, është kthyer në një çerdhe të dhunës, të konflikteve të vazhduara dhe i humbjeve të jetës.

Krimi po na merr jetë njerëzish, krimi po përhapet gjithandej si limfë dhe ky është një shqetësim jashtëzakonisht i madh.  Duhet me patjetër, dy gjëra të rëndësishme: e para, të ndryshojmë dhe të forcojmë  punën edukative me institucionet që formojnë qytetarin sikurse është familja, shkolla, institucionet fetare, shoqëria civile dhe media nga njëra anë dhe e dyta, duhen forcuar institucionet e ndëshkimit. Këto nuk mund të bëjnë njëra pa tjetrën. Na duhet një ortek social i bashkuar me këta faktorë për ta përballuar, për t’i thyer dhëmbët krimit, për ta bërë ‘zap’ dhe për mos ta lënë këtë të keqe sociale të vazhdojë të përhapet dhe të na prishë atmosferën sociale në shoqëri”, përfundoi sociologu./tvklan.al