Bojkoti  i pedagogëve është shndërruar në temën e ditës të javëve të fundit ku qytetarët kanë mendimet e tyre nëse është e drejtë apo jo kjo protestë. Edi Oga, skenarist, ndan në “Aldo Morning Show” në Tv Klan disa mendime të tij lidhur me të, të cilat në fillim i nis me optimizëm dhe humor të hollë, për të kaluar më pas te qëndrimi i tij.

Edi Oga: Unë e përkrah këtë protestën e pedagogëve me aq forcë sa ata do pëkrrahnin  kërkesën time dhe tënden për rritje rroge. Ka një gjë të  mirë ky bojkoti i pedagogëve sepse e para njëherë mban njerëzit në Shqipëri, domethënë duke dëmtuar Gjermaninë, sepse sa më pak mësojnë studentët tanë, aq më pak veta ikin në Gjermani  dhe rrinë në Shqipëri, kështu që ja dhe shpopullimi u zgjodh. Një pjesë domethënë.

Aldo: Një hall më pak.                                                                                                            

Edi Oga: E dyta, studentët kanë ardhur në Tiranë me ca lekë, pra në vend që të harxhonin lekë për provimet, 100 Euro, 200 Euro, 500 Euro ose të blinin libra që i kanë shkruar vetë pedagogët…

Aldo: Ose fotokopje ore.

Albana Çaushaj: Që i kanë përkthyer… keq.

Edi Oga: Bravo, ata blejnë ndonjë rrobë, ndonjë palë xhinse, ndonjë celular të ri, pra ka dhe një të mirë për studentët.

Aldo: Për të mos harruar dhe traditën tonë të sufllaqes.

Edi Oga: Ekzakt. Sufllaqe mëngjes, drekë, darkë, me ose pa qepë, varet.

Aldo: Pastaj konstipacioni…nejse.

Edi Oga: E treta, do kemi më tepër hidaulikë, kamarierë…

Aldo: Ku i ke mor burrë?

Edi Oga: Pikërisht pra, duke mos bërë shkollë, ata do detyrohen që nesër, pasnesër të bëjnë nga këto profesionet e tjera.

Oga thotë se parimisht është dakord me protestën, por ka kundërargumentat e tij pse nuk është e drejtë në një spektër më të gjerë.

Edi Oga: Nuk  do isha dakord që shteti t’u rriste pagën pedagogëve në masën që thonë ata. Nuk jam dakord. Pse? Më dëgjo me kujdes, sepse i prek të gjithë kjo. E  parë ngushtë, në aspektin personal, duket si egoizëm, etj, etj. Por çfarë ndodh? Imagjino sikur të gjithë profesionistët që paguhen nga shteti të rriten, të bojkotojnë çdo gjë ne duam rritje page 20% tani, 30 më vonë siç është edhe ideja e pedagogëve. Shteti do futej në kolaps, apo jo? Edhe prej bojkoteve, por edhe ku do i gjejë gjithë këto para kaq shpejt. Por ti e di ku i  gjen paratë shteti. Shteti i gjen paratë duke rritur çmimet, duke rritur naftën, do na e marrë neve kështu që po të them unë që dua që pedagogëve t’u rritet rroga, automatikisht dua që të të zvogëlohet rroga ty, vajzave dhe mua, një gjë  që të them të drejtën, unë nuk e dua.

Skenaristi shton se nuk duhet të jenë pedagogët ata që duhet t’iu rritet rroga, por  kategoritë e tjera më në nevojë e pa mbështetje. Sipas tij,  rritja e pagave të pedagogëve do të kishte edhe ndikim në politikë.

Edi Oga: Këtij pushteti nuk duhet t’i kërkosh rritje rroge, duhet rrëzuar ky pushtet.

Aldo: U qyqa!

Edi Oga: Unë jam kundër çdo qeverie të mandatit të tretë po e po, por që tek i dyti jam opozitar, me të gjitha qeveritë, pa dallim ngjyre. Nëse pushteti do t’ia plotësonte kësaj kategorie këtë kërkesë,  këta absolutisht do të rehatoheshin dhe nesër, pasnesër ku ka ardhur koha për ta rrëzuar këtë pushtet, këta do thonë një sekondë se këta na e rritën rrogën, ata të tjerët ndoshta na e ulin, pra po ta shohim është shumë komplekse./tvklan.al