Denoncimi në një reportazh të BBC

Xhirimet në internet faktojë rastet e shumta kur policia kroate kthen me forcë, fshehurazi, dhjetëra refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, që kalojë kufirin nga Bosnja ku janë strehuar në kampe. Ata dëbohen për të mos ua dhënë mundësinë të aplikojnë për azil në Kroaci, çka përbën një shkelje të rëndë të rregullores së azilit të Bashkimit Europian. Qeveria kroate e mohon këtë praktikë të fshehtë, por BBC sjell dëshmitë e vetë refugjatëve në kufirin Bosnje-Kroaci që e vërtetojnë këtë.

Këta refugjatë të rikthyer në Bosnjë tregojnë shenjat e dhunës që ka ushtruar ndaj tyre policia kroate, e cila i ka rikthyer në territorin kroat përmes zonave kufitare të mbuluara nga pyje të dendur. Shuret Fazlliç, kryebashkiaku i qytezës së Bihaçit në Bosnje, ku kanë gjetur strehë mijëra emigrantë thotë se ka folur vetë me policët kroatë që kryejnë dëbime të jashtëligjshme.

“I kam takuar policët kroatë. Më thanë se kanë urdhra për të bërë këto gjëra, se janë policë të thjeshtë dhe nuk u takon atyre ta venë në diskutim këtë”.

Nga Brukseli nuk ka pasur asnjë reagim për këto raste edhe pse janë të faktuara me pamje filmike. Vetëm këtë vit përmes rrugës ballkanike, në Bosnje hynë rreth 20 mijë refugjatë, kryesisht nga Lindja e Mesme që synojnë të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian.

Tv Klan