Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe kanë kërkuar asistencë dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësitë e tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

Policia tha po ashtu se media të ndryshme serbe kanë raportuar se njësitë speciale serbe “kanë arrestuar zyrtarë të Policisë së Kosovës”.

Ndërkohë në Twitter qarkullojnë këto pamje, që thuhet se i përkasin momentit kur efektivët e rrëmbehen.

Osmani: Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Agresion nga ana e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve, të cilët sipas policisë së Kosovës, dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Vjosa Osmani, shkruan se ky veprim është agresion nga ana e Serbisë teksa shton se akti dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për paqe në rajon, por për shkaktim të destabilizimit të Kosovës dhe Ballkanit.

Osmani shkruan se një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj asaj që ajo e quan “tendencë të Serbisë për destabilizim të rajonit”.

“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.

Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.

Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht!

Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, shkruan Vjosa Osmani.

Pas rrëmbimit të 3 policëve, Qeveria e Kosovës ndalon hyrjen e prodhimeve serbe

Pas raportimit për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës në veri të vendit nga policia e Serbisë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes së prodhimeve serbe.

Siç mëson Klan Kosova jozyrtarisht, edhe nga Dogana e Kosovës, vendimi është marrë pak kohë më parë.

Sveçla reagon për rrëmbimin e policëve, kërkon nga ndërkombëtarët të rrisin presionin ndaj Serbisë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës. Sveçla, përmes një postimi në Facebook, kërkoi nga ndërkombëtarët që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të ndalin provokimet e saj.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tha se Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka rrëmbyer 3 zyrtarët policorë në shkelje të çdo marrëveshjeje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.

Pa asnjë dyshim, sipas tij, zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

“Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shtuar ai.

Mediat serbe: Arrestuam 3 terroristë të armatosur deri në dhëmbë

“Njësitë speciale të policisë serbe arrestuan 3 terroristë të shtetit fals të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë në territorin qendror të Serbisë”.

Këtë shkruan media serbe “Novosti” pas asaj që autoritetet në Kosovë e konsiderojnë si rrëmbim të tre efektivëve të saj. Sipas ‘Novosti’, policët e rrëmbyer janë Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafa Shemi.

Në foto: 3 policët e arrestuar në kufi me Serbinë

Media serbe ka publikuar disa fotot të arrestimit të tyre. Përveçse i kanë shtrirë në tokë, autoritetet serbe kanë lidhur kokat e tre policëve dhe kanë sekuestruar dylbitë dhe armët që ata kishin me vete./tvklan.al