Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha sot se, institucioni që ai drejton dhe Policia e Shtetit janë të përkushtuar për të rritur sigurinë në shkolla dhe për të krijuar një infrastrukturë të fortë dhe efikase për nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Gjatë punimeve të Konferencës Kombëtare “Shkolla, Qendër Komunitare”, ku morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë Nancy VanHorn, punonjës të arsimit dhe policisë, ministri Hoxha renditi masat e ndërmarra në kuadër të “Paketës së Sigurisë në Shkolla”, një nismë që është në vitin e dytë të zbatimit dhe konsolidimit të saj dhe që parashikon një sërë masash për institucionet me përgjegjësi administrative.

“Numri i institucioneve shtetërore të angazhuar në zbatimin e kësaj ‘Pakete’ dhe të kërkesave të saj, është i madh, megjithatë edhe spektri i masave është i gjithanshëm. Këto masa parashikojnë analizën e detajuar të situatës reale të sigurisë në shkolla, identifikimin e masave plotësuese të menjëhershme, si dhe ndërhyrjen e duhur në akte ligjore të rëndësishme”, theksoi ai.


Fjala e ministrit Hoxha:

Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj Konference Kombëtare, që po trajton një temë me rëndësi për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe zhvillimin e shoqërisë sonë – sigurinë dhe rolin e shkollave si komunitete të qëndrueshme.

Detyra ime si Ministër i Brendshëm është të siguroj që, çdo fëmijë të ketë mundësinë të mësojë e të zhvillohet në një ambient të sigurt dhe mbështetës. Siguria në shkolla është një nga prioritetet tona.

Ndaj, ne kemi punuar dhe po punojmë për të krijuar një infrastrukturë të fortë, efikase dhe të besueshme.

Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë iniciuar “Paketën e Sigurisë në Shkolla”, në përmbushje të prioriteteve të Qeverisë Shqiptare për arsimimin e brezit të ri.

Kjo “Paketë” është në vitin e dytë të zbatimit dhe konsolidimit të saj dhe, në të parashikohen një numër masash për institucionet me përgjegjësi administrative e ligjore në garantimin e sigurisë së shkollave, të nxënësve dhe të procesit mësimor.

“Paketa e Sigurisë në Shkolla” parashikon rolin e shtuar dhe përgjegjësitë e drejtpërdrejta të të dy Ministrive, bashkëpunimin e ngushtë mes tyre dhe institucioneve të varësisë, në funksion të një komunikimi të përhershëm dhe sistematik, në nivel qendror dhe vendor.

Numri i institucioneve shtetërore të angazhuar në zbatimin e kësaj “Pakete” dhe të kërkesave të saj, është i madh, megjithatë edhe spektri i masave është i gjithanshëm. Këto masa parashikojnë analizën e detajuar të situatës reale të sigurisë në shkolla, identifikimin e masave plotësuese të menjëhershme, si dhe ndërhyrjen e duhur në akte ligjore të rëndësishme.

Objektivat e “Paketës së Sigurisë në Shkolla” janë ambicioze, ndaj ato kërkojnë jo vetëm zbatimin dhe respektimin e normave ekzistuese, por synojnë të vendosin standarde të reja bashkëkohore.

Për zbatimin e prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara nga Ministri i Brendshëm në “Paketën e Sigurisë në Shkolla”, Policia e Shtetit ka hartuar një Program Pune me detyra të detajuara për strukturat qendrore dhe vendore.

Më lejoni që, shkurtimisht t’ju bëj me dije detyrimet e realizuara për përmbushjen e plotë të objektivave të kësaj “Pakete”:

–              Është kryer identifikimi dhe përcaktimi i perimetrit të sigurisë së çdo shkolle, sipas vlerësimit të situatës në terren;

–              Po ushtrohen kontrolle sistematike dhe të vazhdueshme në mjediset e shkollave dhe perimetrin e sigurisë përreth tyre, për parandalimin dhe goditjen e veprave penale, në mënyrë të veçantë shitjen e lëndëve narkotike, armëmbajtjen pa leje dhe aktet e dhunës apo shfrytëzimit i të miturve;

–              Është shtuar prania e strukturave të Policisë së Shtetit, kontrollet si dhe masat e rrepta ndëshkuese për shkeljet e Kodit Rrugor, brenda perimetrit të sigurisë

së shkollave;

–              Policia e Shtetit, në bashkëpunim me njësitë vendore, ka verifikuar gjendjen e sinjalistikës rrugore pranë institucioneve të arsimit parashkollor dhe parauniversitar, ka identifikuar nevojat për plotësimin e saj dhe po punon me përgjegjësi për respektimin me rigorozitet të sinjalistikës rrugore;

–              Ndërsa në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të njësive të qeverisjes vendore, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle të shtuara ndaj mjeteve të transportit shkollor, me qëllim respektimin e standardeve dhe kërkesave të përcaktuara në aktet përkatëse ligjore e nënligjore;

–              Aktualisht, shkollat po monitorohen me kamera sigurie, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme;

–              Ndërkohë, “Smart City” është një nga projektet madhorë të “Shqipërisë 2030” në aspektin e sigurisë. Përmes tij synojmë një standard të ri në monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe analizimin e pamjeve të rrugëve, hapësirave të mëdha publike, qyteteve, përfshirë këtu edhe shkollat. Ky projekt nënkupton monitorim me inteligjencë artificiale dhe pritet të modernizojë edhe më tej infrastrukturën teknologjike të Policisë së Shtetit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Krijimi i një mjedisi sa më të sigurt në institucionet tona arsimore është një sfidë, po aq sa dhe lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Dëshiroj të theksoj se, të gjitha detyrimet për Ministrinë e Brendshme, që rrjedhin nga Strategjia Kombëtare e Qeverisë Shqiptare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planit të Veprimit, janë ndjekur dhe po ndiqen me prioritet të veçantë.

Nga viti 2017 e në vijim, strukturat tona kanë kryer një punë e vazhdueshme e të lavdërueshme për të zbatuar masat për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Janë përcaktuar prioritetet, aktivitetet, treguesit, afatet e zbatimit të Planit të Veprimit dhe identifikimi i burimeve kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Nisur nga fakti se, shërbimet e Policisë dhe, në mënyrë të veçantë Inspektorët e Zonave janë në vijën e parë të problematikave të ndryshme në komunitet, kanë si detyrë edhe evidentimin e personave me tendenca ekstremiste, radikale dhe shkëmbimin e informacioneve me strukturat e Antiterrorit.

Për ta evidentuar këtë kategori personash është ngritur grupi i punës për zbatimin e projektit “Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm përmes Policimit në Komunitet”, në zbatim të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit, të miratuar nga Qeveria.

Të nderuar pjesëmarrës,

Këto sfida dhe shumë të tjera janë përgjegjësi e përbashkët. Çdo njëri nga ne ka një rol në këto procese.

Ndaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar shkolla dhe institucione të sigurta, komunitetet të qëndrueshme dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë ne.

Dëshiroj të falënderoj Ambasadën Amerikane në Tiranë për mbështetjen e projektit!


/tvklan.al