Disa departamente policore u angazhuan në një operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore në fshatin Godull të Lezhës.

Në pranga ka rënë 40-vjeçari me iniciale A.J. alias A.Zh. Për të bërë të mundur arrestimin e tij u angazhuan Drejtoria e Policisë së Lezhës, Komisariati i Kurbinit, forcat speciale RENEA dhe Interpo, Tirana.

Autoritetet policore kishin marrë informacion për vendndodhjen e tij dhe organizuan punën për arrestimin e 40-vjeçarit.

Ky i fundit ka qenë person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi  Gjykata e  Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Romës në Itali, pasi ka masë sigurie “Arrest në burg”, për  veprat penale “Grabitja me armë ”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg. /tvklan.al