Targaj:  Kontrollet me dron, kamera, alkooltestues e makina civile

Rritja e numrit të aksidenteve përgjatë ditëve të fundit ka vënë në lëvizje policinë rrugore, të cilët kanë ndërmarrë aksionin e radhës me qëllim evidentimin e shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve.

Drejtori i policisë rrugore, Edmond Targaj njoftoi rritje të prezencës policore në akset kryesore në vend, duke përdorur mjete logjistike shtesë.

“Drona, radarë, alkooltestue, makina të paloguara dhe me aparate fotografike për të evidentuar çdo sjellje të qarkullimit rrugor”.  

Shumë rruge kombëtare, por dhe ato brenda qytetit janë ngarkuar nga lëvizja e mjeteve, duke shkaktuar dhe trafik të rënduar. Kjo ndodh për shkak të punimeve që kryhen në rrugë.

“Në shumë akse rrugore qoftë brenda qytetit, por dhe në zonat e tjera siç është unaza e Tiranës që po bëhen punime dhe në shumë raste krijohen radhë të gjata, kolona të gjata të cilat ne duhet t’i respektojmë”, është shprehur Edmond Targaj.

Me ndryshimet e reja të kodit rrugor të cilat ende nuk kanë hyrë në fuqi, pikat e kontrolleve duhet të jenë të dukshme për drejtuesit e mjeteve, ndaj drejtori i rrugores u shpreh se synohet të ulet numri i efektivëve të vendosur në akset kombëtare.

“Qëllimi jonë është që të rrisim më shumë inteligjencën policore, mirë është që ne duke përmirësuar kushtet, do ta pakësojmë edhe numrin e punonjësve të policisë”, është shprehur ai.  

Në nisje të sezonit veror ku rritet dhe qarkullimi rrugor, policia shprehet se intensifikimi i punës per rritjen e sigurisë në rrugë do jetë nën moton “ruaj jetën dhe kuletën”.

Klan News