Një trafikant kokaine është qëlluar me armë nga një punonjës policie në Tiranë.

Sipas asaj që raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, trafikanti i cili po transportonte 1 kg kokainë është qëlluar nga policia, pasi gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ai nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe i ka dhënë shpejtësi mjetit të tij duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Në këtë moment njëri nga punonjësit e policisë në vetëmbrojtje ka qëlluar dhe e ka plagosur trafikantin, i cili më pas është dërguar në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe Prokuroria po bëjnë veprimet e duhura lidhur me ngjarjen.


Njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë/ Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjësit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.

Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.


/tvklan.al