Atë që u bënë të tjerëve, tashmë po e përjetojnë edhe vetë. Qyteza ruse e Sudzhas që është nën kontrollin e ushtrisë ukrainase, ka marrë të njejtën pamje si qytetet e lindjes së Ukrainës, të shkatërruara nga sulmi i ushtrisë ruse.

Kudo në qendër të qytezës duken qartë gjurmët e përplasjes së armatosur, madje edhe në statujën e Leninit, që qëndron e ngritur edhe 33 vite pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Pamjet janë filmuar në një reportazh të gazetarit të “CNN”, Nik Pejtën Uollsh, i cili udhëtoi me ushtarët ukrainas nga kufiri deri në brendësi të Sudzhës. Në filmime dallohen edhe trupa ushtarësh rusë të mbetur rrugëve nga luftimet e pas 6 Gushtit.

Shumica e banorëve janë evakuuar në qytete të tjera të Rusisë. Kanë mbetur vetëm pak dhe shumica janë të moshuar, të cilët kanë zënë vendstrehimet. Për CNN, ata thonë se kanë mbetur pa ushqim dhe po furnizohen nga ushtarët ukrainas.

Ndihen të braktisur nga Moska dhe shqetësohen për fatin e tyre. Ushtarët ukrainas vazhdojnë përparimin dhe deri më tani kanë pushtuar 82 fshatra në 1150 kilometra katrorë. Deri më tani, nga zonat pranë kufirit me Ukrainën janë evakuuar mbi 132 mijë rusë. Ndërsa ushtria ruse duket më tepër të angazhuar me luftën jashtë territorit.

Tv Klan