Deputeti i PS-së, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas betejës së humbur me Covid-19.

Për ish-kryeministrin e Shqipërisë gjatë periudhës 9 Mars 1997 deri më 29 Qershor 1997, kanë qenë të shumta reagimet dhe fjalët ngushëlluese nga kolegët tij.

Kryeministri Rama ka qenë i pari që nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur hidhërimin për humbjen e Finos.

Ndër politikanët e tjerë që kanë reaguar për këtë ngjarje të trishtë ka qenë edhe kryebashkiaku Veliaj, deputetja Mimi Kodheli e ish-presidenti Bujar Nishani.

Edi Rama-E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.

Erion Veliaj-Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur!

Mimi Kodheli-Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!

Bujar Nishani-Ngushëllimet më të ndjera familjes, të arfërmve dhe miqve të ish Kryeministrit Bashkim Fino ! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.  Pusho në paqe tashmë, Bashkim!

Ilir Meta-Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhimbje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!

Olta Xhaçka-Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme!

Taulant Balla- Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur. Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë.

Ogerta Manastirliu-E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik.

Damian Gjiknuri-Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar!

Ditmir Bushati-Na trondite me ikjen tënde të parakohshme Bashkim Fino. U prehsh në paqe miku ynë i mirë.

Blerina Gjylameti-Mëngjesi erdhi me një lajm të hidhur dhe shumë të trishtuar. Miku ynë, kolegu i nderuar Bashkim Fino u nda nga jeta. Mungojnë fjalët që e kanë të pamundur të ngushëllojnë dhimbjen. Do ta ndjejmë shumë mungesën tënde mik i mirë. Ngushëllime familjes, u prehsh në paqe!

Partia Socialiste e Shqipërisë– Lamtumirë Bashkim Fino! Sot për familjen tonë të madhe socialiste është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur

Gramoz Ruçi-Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvendësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!

Lulzim Basha-Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe.

Monika Kryemadhi-Me hidhërim të madh mësova lajmin se u nda nga jeta një njeri i mirë, një socialist i vërtetë. Njeriu që ishte kundër çdo konflikti absurd, i lindur për të qenë kryeministri i pajtimit. U prehsh në paqe Bashkim.

Sali Berisha-Miq, Covid-19 e ndau nga jeta para kohe Bashkim Finon, njërin prej personaliteteve më të spikatura të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së vendit. Gjatë këtyre 30 viteve në politike, Bashkimi ka mbajtur detyra të rëndësishme nga kryetar bashkie i qytetit të tij të lindjes Gjirokastrës deri në kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar në vitin 1997, e cila kishte si detyrë me kryesore përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, detyre të cilën në vlerësimin tim ai e përmbushi në frymë bashkëpunimi dhe me përgjegjësi. Pas atyre zgjedhjeve deri sot ai si deputet i PS dhe qeveritar i saj ka kryer detyra të rëndësishme duke qëndruar një zë i moderuar në grupin drejtues ekstremist të PS. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Fino për humbjen e pakompensueshme, unë i lutem Zotit që shpirti i Bashkimit të saj të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin.

Evis Kushi-E vështirë të them lamtumirë për Bashkim Finon! Një mik i dashur si ai nuk mund të largohet kurrë, por do të jetojë në kujtimet tona përgjithmonë!

Bledi Çuçi-E trishtë sa s’ka më kjo ditë pas lajmit të kobshëm për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bashkim Finos. Një ikje që të le pa fjalë, që ta mpinë shpirtin e zemrën dhe të krijon një boshllëk që s’ka për t’u mbushur kurrë sepse Bashkimi ishte i pazëvendësueshëm. Partner për të bërë reformën e radhës, një këshilltar për të përballuar detin e trazuar të politikës shqiptare apo një debatues në Kuvend si ai mbase e gjen përsëri, por kurrë s’kam për të gjetur një mik si Bashkim Fino, një mik të të gjithëve dhe një personalitet që përveçse familjes do t’i mungojë po aq shumë edhe jetës publike në Shqipëri. Kam kaq shumë kujtime me Bashkimin, nga jeta në familjen tonë politike, debati parlamentar, realizimi i disa reformave të rëndësishme për vendin e deri tek momentet tona kur së bashku tymosnim puro. Nuk dua të shtoj fjalë me tepri siç ndodh zakonisht në këto raste, por çfarë shkrova deri më tani ishin fjalë të ndiera dhe në respekt të kujtimit të një miku të pazëvendësueshëm. Ma ule kokën nga dhimbja Bashkim, por buzeqëshja jote do të më shoqërojë gjithmonë. Lamtumirë mik!

Tom Doshi-Një ditë e trishtë sot për ne. Politika shqiptare humbi sot një zë të fortë e të rëndësishëm. Ne humbëm sot një mik, koleg, politikan të moderuar. Do na mungoj të gjithëve ! U prehtë në paqe miku jonë Bashkim Fino! Ngushëllime zemre familjes për këtë dhimbje të madhe!

Ramush Haradinaj-I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit shqiptar Bashkim Fino. Ai mori detyrën në situatën më kritike që kishte shteti modern shqiptar dhe e kreu me nderë e atdhedashuri, deri në rikthimin e normalitetit. Me këtë rast ngushëlloj familjen Fino, kolegët e bashkëpunëtorët si dhe mbarë kombin shqiptar. Bashkimi, u prehtë në paqe!

Ambasada Amerikane-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron t’i përçojë ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta sot në mënyrë të parakohshme. Fino do të kujtohet për udhëheqjen, në moshë fare të re, të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997 e gjithashtu për kontributin e tij në proceset ligjbërëse gjatë karrierës së tij të larmishme politike. U prehtë në paqe.

Saimir Tahiri-Ehh mo Baç, nuk bëri shaka kjo. Qesh nga andej lart, me puron tënde në dorë miku im. Do shihemi prapë dikur.

Blendi Fevziu-Lamtumirë Bashkim Fino. Asnjë ditë në politike nuk jetove si militant; atëherë kur vendi kishte nevojë për ty dite të ishe më i ekuilibruar se të gjithë ne. Vetëm se u largove më herët se sa duhej… (Foto e Korrikut 1998 në TVSH)

/tvklan.al