Lajme Arkiva 2003

Rruga Vlorë-Himarë ndërpritet disa herë nga postblloqe policore të vendosura nga Orikumi deri në Qafë të Llogarasë. Një grup djemsh nga Vlora janë nisur përsëri në orët e para të ditës për të shkuar në Himarë. Të kthyer një ditë më parë nga postblloqe të shumta, sot makinat janë nisur pa shumë bujë, por asnjë prej tyre nuk ka mbërritur në qytetin e Himarës.

Postblloqet policore mendojnë të shmangin kamerat televizive, efektivët blu të veshur edhe me antiplumb nuk shprehen se çfarë urdhrash kanë marrë nga eprorët e tyre. Pjesa më e madhe e makinave kthehen mbrapsht nga forcat blu që në Orikum.

Vetëm pak prej makinave janë ngjitur deri në Llogara. Disa kanë qëndruar atje gjatë gjithë orëve të pasdites me gjithë kohën e keqe me stuhi. Ndërsa për kamerën e TV Klan disa rrëfejnë se përse duan të shkojnë në Himarë.

Qytetari: Unë për veten time jam nga rrethinat e Himarës. Jam nga Sasaj. Unë dua të vete në fshat. Do vete në Himarë të pi një kafe dhe më kanë thënë se Himara është bërë e grekut e duhet vizë të shkosh në Himarë. Dua ta shikoj njëherë është e vërtet kjo apo nuk qëndron. Dua ti bëj një thirrje mbarë opinionit publik.

Gazetarja: Kush nuk ju lejon?

Qytetari: Kush s’na lejon? Po dalin tre policë atje në mes të rrugës. Njëri të nxjerr kallashin të thotë kthehu mbrapa, tjetri të thotë po e kalove këtë do të tërheq zvarrë.

Qytetari: Ja për çfarë po vemi në Himarë. Lexojeni! Nuk kemi asgjë personale, asgjë me shtetin. Unë habitem përse na bllokon policia.

Qytetari: Duam të vemi në Himarë sepse himarjotët para dy tre ditëve ngiten flamurin grek në mes të tokës shqiptare dhe duhet ta dijë Sali Berisha dhe Fatos Nano që Himara është tokë shqiptare historikisht. Është mesi i Labërisë nuk është tokë greke.

Ndërkohë Himara 4 ditë pas zgjedhjeve është zgjuar e qetë. Njerëz që shprehen gati të çuditur dhe befasohen nga festimet me flamuj grek ndërsa prokuroria dhe policia e rrethit deklarojnë se kanë çelur një dosje penale për disa nga shkaktarët e ngjarjeve të shëmtuara pas zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës./tvklan.al