Në Gjermani është duke u diskutuar së fundmi për mënyrën e testimeve të gazrave të automjeteve me naftë.

Mediat gjermane raportojnë se prodhuesit gjermanë të automjeteve kishin financuar një kompani të quajtur EUGT, për të studiuar ndikimin e tymrave të makinave në shëndetin e njeriut.

EUGT është financuar nga Volkswagen, Daimler (prodhuesi i Mercedes-Benz) dhe BMW për të kryer këtë studim. Mirëpo, sipas shtypit gjerman, kompania EUGT ka përdorur njerëz dhe majmunë për të testuar ndikimin negativ të tymrave të automjeteve në shëndet.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë dënuar mënyrën e këtij studimi, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni të metodave që kishte përdorur EUGT.

Politikani social-demokrat Stephan Weil, njëkohësisht edhe anëtar i bordit të Volkswagen, e konsideroi këtë studim

“absurd dhe të neveritshëm”.

Ndërsa New York Times ka shkruar se EUGT në vitin 2014 kishte përdorur 10 majmunë në një laborator ku testoheshin gazrat e një makine me benzinë Volkswagen Beetle në New Mexico.

Ndërsa gazeta gjermane Stuttgarter Zeitung dhe radio SWR raportoi se 19 burra dhe gra kishin thithur tymin e makinave me naftë në një tjetër eksperiment të EUGT. Testimet u zhvilluan për 1 muaj në një laborator në Aachen të Gjermanisë, ku njerëzit u ekspozuan ndaj gazrave të ndryshme të tymit të naftës, të cilat përmbajnë oksid toksik.

“Daimler”, prodhuesi i automjeteve Mercedes-Benz, tha të dielën se

“janë të tronditur nga mënyrat e zbatimit të këtij studimi”. “I dënojmë fort eksperimentet”,

thuhej gjithashtu në deklaratë.

Një specialist gjerman për makinat, Ferdinand Dudenhoffer, thotë se nivelet e ndotjes nga makinat me naftë janë shumë të larta në 10 qytete të Gjermanisë.

/tvklan.al