Kritikët e Nënpresidentes Kamala Harris thonë se asaj i mungojnë kualifikimet për t’u bërë presidente, dhe se ajo përfiton nga politikat që synojnë të nxisin shumëllojshmërinë, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në tregun amerikan të punës. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, mbështetësit e politikave që synojnë përfshirjen e shtresave dikur të lëna mënjanë, thonë se zonja Harris e ka fituar vendin e saj.
Nënpresidentja Kamala Harris është ngjitur në strukturën e pushtetit më lart se gratë e tjera amerikane me ngjyrë, një fakt që demokratët e vënë në dukje kur mbështesin kandidaturën e saj për postin më të lartë publik të vendit.
“Shteti i Alabamas i jep me krenari 56 votat për gruan e parë presidente afrikano-amerikane”, deklaroi gjatë Kuvendit Kombëtar Demokrat delegatja që foli në emër të shtetit Alabama.
Por mënyra se si zonja Harris arriti deri këtu, është bërë një temë diskutimi politik. Kritikët e akuzojnë se nuk i ka ngjitur shkallët në sajë të aftësive të saj, por se ka përfituar nga programet për shumëllojshmërinë, barazinë dhe gjithëpërfshirjen, që ata thonë se u japin përparësi shtresave të mënjanuara dhe jo meritave.
Rivali i saj republikan, Donald Trump, u pyet nëse ai mendon se zonja Harris po përfiton për shkak të racës së saj.
“Nuk e dija që ishte afrikano-amerikane deri disa vite më parë kur ndodhi që u shndërrua në afrikano-amerikane. Dhe tani dëshiron të njihet si afrikano-amerikane”, tha ish-Presidenti Trump.
Kjo preku në një nerv të shoqërisë së shumëllojshme amerikane, ku kanë dominuar tradicionalisht meshkujt e bardhë. Aktivistët për politikat e gjithëpërfshirjes thonë se kjo duhet të ndryshojë dhe thonë se kjo do ta ndihmonte shoqërinë.
“Kur e ke këtë shumëllojshmëri dhe krijon hapësirat për ata individë që ndoshta janë lënë mënjanë në të kaluarën dhe ke iniciativa dhe programe në mënyrë që ata të fuqizohen, kjo për mua ka kuptim”, thotë Rhonda Moret, nga organizata “Elevated Diversity”.
Kritikët e politikave të gjithëpërfshirjes janë kundër theksit që vendoset tek shumëllojshmëria nga administrata e Presidentit Biden, siç u pa tek zotimi i tij për të emëruar një grua afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë.
“Në vend që të kërkojnë njerëz që kanë punuar shumë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, për të qenë të mirëpërgatitur për të përmbushur rolin që u kërkohet të luajnë, po ua japin atë rol bazuar tek diçka që nuk është në dorën e tyre”, thotë Jonathan Butcher, nga Fondacioni Heritage.
Zonja Moret thotë se kjo nuk ka ndonjë rëndësi, pasi zonja Harris i ka kualifikimet e duhura. Ajo ka punuar juriste dhe është zgjedhur në pozicione të shumta në Kaliforni, përpara se të shërbente si senatore dhe në vazhdim si nënpresidente.
“Për të qenë e sinqertë, unë ofendohem nga kjo, si grua me ngjyrë. Kjo është si të thuash se duke qenë se je grua me ngjyrë, nuk je aq e zgjuar sa dikush tjetër”, thotë zonja Moret.
Ky debat po i përball amerikanët me paragjykime të vjetra. Në nëntor, ata do të vendosin se si do të jetë e ardhmja e tyre./VOA