Presidenti Begaj takohet me raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos

Presidenti Begaj takohet me raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos

17:43 26/01/2023

Presidenti Bajram Begaj priti sot raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, me të cilën bisedoi mbi rrugën evropiane dhe sfidat reformuese e zhvilluese të vendit.

Presidenti Begaj vlerësoi punën dhe kontributin e eurodeputetes Santos dhe të kolegëve të saj në përgatitjen e raportit të vitit të shkuar për Shqipërinë, duke nënvizuar realizmin e tij dhe frymën mbështetëse për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e rëndësishme që Parlamenti Evropian i ka dhënë procesit të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar, se “mbështetja e Parlamentit Evropian është e nevojshme për arritjen e objektivave të vëna në kuadër të procesit të negociatave dhe zhvillimit të takimit të dytë ndërqeveritar BE-Shqipëri”.  

Duke u ndalur tek zhvillimet e reja gjeopolitike pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, kreu i shtetit nënvizoi se Shqipëria do të mbetet gjithmonë një partner shumë i besueshëm në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe do t’i bashkohet gjithmonë vendimeve e qendrimeve të BE-së në këto drejtime.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat specifike me të cilat po përballet ky rajon dhe vendet e tij, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike. /tvklan.al







Të ngjashme