Konflikti ligjor mes avokatëve mbrojtës të 16 të pandehurve të bandës së Durrësit dhe gjyqtarit të çështjes ka arritur kulmin. Seanca gjyqësore është bojkotuar në mënyrë demonstrative nga të pandehurit dhe avokatët e tyre.

Në debatin juridik me gjykatën avokatët i kanë mëshuar faktit se procesi penal ndaj të ashtuquajturës Banda e Durrësit është një proces i ndikuar politikisht dhe se dënimet e këtyre të pandehurve janë përcaktuar nga gjykata dhe pse shqyrtimi gjyqësor ende është në fazat e tij fillestare.

Kërkesa e prokurorit Anton Martinaj për të dëgjuar dëshminë e Adriatik Colit, i deklaruar si bashkëpunëtor i drejtësisë ka rebeluar të pandehurit dhe avokatët.

Për dy orë me radhë i pandehuri Coli është ruajtur nga Forcat Speciale nën masa të rrepta sigurie. Dëshmia e tij është konsideruar më shumë se e rëndësishme për prokurorët të cilët kanë bazuar prova dhe fakte kundër të gjithë anëtarëve të 2 grupeve rivale të ulur në një stol akuze për krime të njëjta.

Kryetari i trupit gjykues vendosi të shtyjë seancën, duke pezulluar afatet e paraburgimit për të 16 të pandehurit, si dhe caktoi të tjerë avokatë mbrojtës për 5 të pandehurit mes të cilit Lul Berisha dhe Indri Dokle. Për avokatët që bojkotuan seancën, gjykatësi deklaroi se do t’i drejtohet për masa disiplinore Dhomës së Avokatisë dhe ministrisë së Drejtësisë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Ben Haxhiaj