Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi këtë të hënë aksionin për lirimin e objekteve që I hapin rrugë projektit për hyrjen e Shkodrës.

Fillimisht po pritet që pronarët e 11 godinave pa dokumente pronësie t’i lirojnë ato vullnetarisht. Drejtori i IKMT Emiljan Nika thotë se  të gjithë pronarët janë njoftuar dhe pritet që procesi për shembjen e 11 objekteve të para të përfundojë brenda javës.

Emiljan Nika, drejtor i IKMT, Shkodër: Në këtë fazë janë 11 objekte të cilat janë përjashtuar nga procesi i legalizimit. Të gjithë këta procedurës kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin e tyre për t’i lejuar objektet për t’i prishur, vullnetarisht.

Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.

Ai përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për evente dhe koncerte.

Gjithashtu, do të ketë fusha të reja sportive dhe një mol të ri që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.

Klan News