Një nga emrat surprizë në ndryshimet e qeverisë që njoftoi kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS ishte edhe ai i Ervin Hoxhës. Kreu i qeverisë i ka besuar Hoxhës ministrinë e Brendshme duke zëvendësuar në këtë mënyrë Taulant Ballën.

Por kush është ministri i ri i Brendshëm?

Ervin Hoxha ka lindur në Tiranë në vitin 1978. Ai ka kryer arsimin e mesëm në Turqi ndërsa më pas ka vijuar Akademinë e Sigurisë në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Arsimin pasuniversitar e ka ndjekur në Shkollën e Lartë të Policisë gjermane në Munster.

Për më shumë se 20 vitesh ai ka shërbyer në detyra të ndryshme shtetërore nga niveli ekzekutues deri në nivele të larta drejtimi në institucione qendrore të zbatimit të ligjit në vend si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë.

Ervin Hoxha ka shërbyer si drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, zv/drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Drejtor i Përgjithshëm i shërbimit të Provës si dhe drejtor kabineti i këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit.

Aktualisht ai mbante detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit./tvklan.al