Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani 44 vjeç është ndarë nga jeta tragjikisht ditën e sotme pas një ataku kardiak.

Mësohet se Bogdani u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, sipas të cilëve ish-deputeti mbërriti i pajetë.

Bogdani ka qenë duke konsumuar kafe në një ambient të njohur në qendër të Tiranës kur pësoi atak kardiak.

Kush ishte Gert Bogdani?

Gerti Bogdani lindi më 7 Korrik 1980 në Tiranë dhe kreu studimet e larta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Z.Bogdani e nisi karrierën politike në vitin 2007 duke u angazhuar pranë Partisë Demokratike dhe në këtë vit u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.10 në Tiranë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Gerti Bogdani u zgjodh deputet. Më pas ka qenë kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet e 2019, ai u bë anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike duke marrë mbi 70% të votave.

Në vitin 2022, Gerti Bogdani votoi në Primaret e brendshme të Partisë Demokratike për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës.

I ndjeri Gerti Bogdani është i martuar me aktivisten Edlira Çepani të cilët janë prindër të dy fëmijëve.


Deputetët ndërpresin mbledhjen e Këshillit të Mandateve kur mësojnë vdekjen e ish-kolegut Gerti Bogdani

Deputeti i PD Gazmend Bardhi: Sapo është konfirmuar që një ish-koleg i joni, kolegu Gert Bogdani sapo ka ndërruar jetë dhe ky lajm është besoj tronditës dhe shumë i rëndë për ne kolegët e tij në Partinë Demokratike, besoj për kolegët e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe unë kërkoj ndërprerjen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj për një moment tjetër. Kërkoj mirëkuptimin tuaj!

Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit: Të prehet në paqe kolegu ynë, i riu Gert Bogdani. Ngushëllime të përzemërta familjes së tij! U prehtë në paqe dhe i ngritët shpirti i tij.


Pasi mësuan vdekjen e kolegut të tyre Gerti Bogdani, deputetët e PD-së Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi kanë shkuar pranë ambienteve të QSUNT-së.


/tvklan.al