Lajme Arkiva 2003

Prokuroria është ende në fazën e hetimit të përgjegjësisë mbi personat e tjerë që kanë lidhje me kalimin e paligjshëm të 6 shtetasve shqiptarë në aeroportin e Rinasit.

Mbrëmë vonë pas një urdhëri të Gjykatës së Rrethit të Tiranës policia ekzekutoi urdhër-arrestet për shefin e komisariati të Rinasit Enriko Sulejmani, kryekontrollorin Dorian Muça dhe kontrollorin Eqerem Bisha me akuzat e favorizimit të trafikut klandestinë dhe shpërdorimit të detyrës, por burimet e akuzës pohuan se ndonëse jo zyrtarisht ka punonjës të tjerë të aeroportit të cilët kanë përgjegjësi për këtë çështje.

Deri tani bëhet e ditur se për katër prej tyre ka nisur procedim penal. Ndërkohë që nuk bëhet të ditur emra konkret. Menjëherë pas ekzekutimit të arrestimeve në krye të komisariati të Rinasit u komandua shefi i kufirit në këtë aeroport Kastriot Guma.

Ndërkaq të akuzuarit e prangosur mbrëmë nuk janë paraqitur mbrëmë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës ku brenda një afati 3 ditor u duhet komunikuar akuza për të cilën janë akuzuar.

Grupi i ngritur në Ministrinë e Rendit me urdhër të ministrit Luan Rama dhe që kryesohet nga zëvendës ministri Thoma Jano po vazhdon ndërkaq hetimet në bashkëpunim edhe me prokurorinë./tvklan.al