Klubi i futbollit “Tirana” dhe administratori i saj, Refik Halili kanë përfunduar në gjyq për akuzën e “fshehjes së të ardhurave”. Njoftimi u bë nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka kryer hetimet lidhur me këtë çështje të nisur prej vitit 2017, nga ku ka rezultuar se ekipi i futbollit me administratorin e saj kanë fshehur rreth 52 milionë Lekë.

“Rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit.”

Kjo skemë e përdorur sipas Prokurorisë ka pasur qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore.

“Fshehja të ardhurave në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, ka bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.”

Me mbylljen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së kryeqytetit i mbetet Gjykatës së Tiranës vendimi përfundimtar për të çuar ose jo në gjyq këtë çështje, e cila vesh me përgjegjësi penale klubin e futbollit “Tirana” dhe administratorin e saj, Refik Halili.

Tv Klan