Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Rreth 30 mijë protestues kanë paralizuar me grevën e tyre, kryeqytetin grek Athinë. Greva ishte një protestë e re kundër planeve për reformimin e pensioneve, të paraqitura nga qeveria greke. Një përfaqësues i punëtorëve grek, e quajti dialogun me qeverinë një mashtrim. Autobusët, taksitë dhe metroja e Athinës, nuk kanë funksionuar. Edhe televizioni shtetëror ndërpreu transmetimet.

Zyrat qeveritare, shkollat, bankat, spitalet dhe gazetat gjithashtu u mbyllën. Shoqëria ajrore Olimpik tha, se do të kryente vetëm nga një fluturim për çdo destinacion. Greva e sotme ishte e dyta më e madhe në më pak se një muaj. Ndërkohë opozita politike greke po përfiton. Për herë të parë në sondazhet e opinionit publik, lideri i opozitës Kostas Karamanlis është në të njëjtin nivel me kryeministrin aktual grek Kostas Simitis./tvklan.al