Sot në Europë ka një debat mbi turizmin masiv madje në disa qytete vizitorët janë të padëshiruar.

Në Barcelonë protestuesit dolën në rrugë kundër turistëve, Venecia ka vënë tarifa shtesë për turistët ditorë ndërsa Dubrovniku ka kufizuar numrin e vizitorëve.

Në këtë situatë Euronews ka bërë një renditje të destinacioneve turistike Europiane që anë ende larg turizmit masiv.

Në listë është edhe Shqipëria. Rrejti prestigjioz televiziv nënvizon se turizmi masiv ende nuk ka kapërcyer peizazhet e pacënuara dhe atraksionet e pazhvilluara të Shqipërisë.

Në shkrim thuhet se Shqipëria është një vend për aventura të vërteta. Syri i Kaltër, qytetet osmane si Berati, Gjirokastra dhe Kruja dhe plazhet që rivalizojnë Karaibet janë atraksionet më të njohura të Shqipërisë citon Euronews.

Megjithatë bukuria e vërtetë sipas tij qëndron brenda kanioneve të fshehura, liqeneve të mëdha dhe maleve të vështira për t’u arritur.

“Pjesa më e madhe e bregdetit të bukur të Shqipërisë nuk është zbuluar ende nga turistët ndërkombëtarë. Mos prisni kulturën e Francës apo makinën turistike të vajosur mirë të Spanjës, por Shqipëria po e gjen rrugën e saj me një shpërthim të bujshëm të prenotimeve”, e mbyll Euronews.

Në listë krahas Shqipërisë janë edhe zona të veçanta në Francë, Spanjë, Itali e Portugali.

Tv Klan