Protesta e 11 Korrikut duhet të jetë protesta më e madhe me çdo kusht thotë kryetari i PD, Sali Berisha në një mesazh drejtuar strukturave. Berisha u kërkon strukturave mobilizim të plotë për të garantuar pjesëmarrje masive të demokratëve dhe qytetarëve të tjerë që janë kundër qeverisë Rama.

“Ditët e ardhshme janë vendimtare për suksesin e protestës të 11 Korrikut, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për opozitën. Ajo duhet me çdo kusht të jetë protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur Tirana deri sot! Ndaj është jetike që në këtë hark të shkurtër kohor të bëni gjithçka për mobilizimin më të paparë, për të garantuar pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe anëtareje, mbështetësi dhe mbështetëse të PD në protestën e 11 Korrikut.”

Berisha zbulon dhe mesazhin që do të përcjellë protesta e së enjtes.

“Më 11 Korrik, ne demokratet dhe demokratët edhe mbështetësit tanë duhet të dëshmojmë para shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica politike e vendit, e gatshme për çdo betejë, për çdo fitore! O sot o kurrë! Më 11 Korrik të gjithë në Tiranë!”

Pas vendimit të Kryesisë për zhvilluar protestën më 11 Korrik në orën 20:00 para Kryeministrisë, përveç organizimit të strukturave, Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë kanë zhvilluar takime me qytetarët në terren duke i ftuara ata që të marrin pjesë në tubimin e opozitës.

Klan News