Zhduket tmerri i lejeve të ndërtimit dhe abuzimeve korruptive me to. Qeveria ka vendosur të amendojë ligjin aktual të urbanistikës në nenet ku parashikohet dhënia e lejeve të ndërtimit.

Pavarësisht se ligji i ri urbanistikës është në përfundim e sipër, ky vendim ka ardhur si domosdoshmëri për të zhbllokuar situatën kaotike dhe abuzive të krijuar në industrinë e ndërtimit.

Sali Berisha: “Kuotohemi në grupin e 4-5 vendeve më të mundimshme për lejen e ndërtimit, situatë totalisht e papranueshme. Nuk mund të stiset më i neveritshëm dhe më i tmerrshëm mekanizmi burokratik sesa kaq. Ligji ekzistues i urbanistikës do të pësojë ato ndryshime të cilat do të parashikohen pikë për pikë në ligjin e ri të urbanistikës.”

Këto ndryshime që do t’i bëhen ligjit parashikojnë që të ulin ndjeshëm kohën e shqyrtimit të kërkesës  si dhe dokumentet që kërkohen nga pushteti vendor për t’u pajisur me një leje ndërtimi.

Kështu nëse deri tani janë dashur plot 390 ditë për të marrë një përgjigje për kërkesën për t’u pajisur me leje ndërtimi, afati do të shkurtohet në 50 ditë.

Një javë kohë do t’i lihet në dispozicion njësive vendore për të shqyrtuar kërkesën dhe 42 ditë do të nevojiten për plotësimin e dokumentacionit.

Pas kësaj nëse subjekti i interesuar nuk merr një përgjigje në bazë të parimit të vendosur nga qeveria “heshtja është pranim” i lind e drejta të nisë ndërtimin e tij.

Sali Berisha: “Në qoftë se ditën e 51-të qytetari nuk ka marrë me shkrim lejen ose vendimin e motivuar për mosdhënie të saj ai do të ketë të drejtën të fillojë ndërtimin, por në qoftë se qytetari bëhet vetë përgjegjës dhe tenton të përdorë afatin në mënyrë abuzive pastaj do të takohet me kodin penal të ndërtimit pa leje që parashikon rreth tetë vjet burg. Me këto ndryshime i jepet një frymëmarrje e madhe sektorit kryesor të ekonomisë promotorit të zhvillimit që është ndërtimi”.

Dokumentet që do të nevojiten për t’u pajisur me leje ndërtimi nuk do të jenë më 24 siç janë tani, por vetëm tetë te tilla.

Këto dokumente do të sigurohen nga njësitë vendore që me ndryshimet që i bëjnë ligjit do të luajnë rolin e One stop shop-eve, duke mbledhur vetë çdo dokument publik që nevojitet.

Këshilli i Rregullimit të Territorit duhet të vendosë për dhënien ose jo të lejes së ndërtimit brenda një afati kohor 45 ditor përfshirë këtu dhe kohën që duhet për zbardhjen e lejes së ndërtimit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka