Chermen Valiev dhe Islam Dudaev dy mundësit që morën medalje bronxi në olimpiadë duke përfaqësuar Shqipërinë janë nderuar këtë të mërkurë në një ceremoni në seline e qeverisë.

Vetë Kryeministri Rama i vlerësoi ata me medaljen e mirënjohjes për arritjen duke sjellë për herë të parë medalje olimpike Shqipërisë dhe duke i kthyer lojërat e Parisit në një ngjarje historike për vendin.

Kreu i qeverisë premtoi se mbështetja ndaj sportit, projekteve zhvilluese dhe sportistëve medalistë në arenën ndërkombëtare do të jetë në rritje.

“Qëllimi ynë është që vit pas viti rritja ekonomike të jetë e prekshme për të gjithë, patjetër nga kjo rritje sportistët që na nderojnë botërisht meritojnë mbështetje financiare në rritje”.

Me rastin e fitimit të medaljeve të bronxit, shpërblimi financiar iu dha sportistëve nga ministrja e Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila nuk harroi pa përmendur edhe trajnerët e tyre.

Ndërsa një shpërblim të veçantë, në fakt premtim të hershëm për mundësit e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, edhe në cilësinë e përfaqësuesit të klubit sportiv Tirana, ku bëjnë pjesë Valiev dhe Didaev. Ai iu dorëzoi çelësat e apartamenteve për secilin medalist.

Ambiciet tashmë shtohen për olimpiadën e ardhshme. Kryeministri Rama premtoi se qeveria do të mbështesë projektin e KOKSH për rritjen e mundësive të sportistëve shqiptar për të siguruar medalje olimpike.

Tv Klan