Gati 10 vjet pas reformës së sistemit të pensioneve, qeveria synon të ndërhyrë sërish në ligj për të garantuar pensione më të mëdha.

Lajmin e bëri të ditur ministri i ri i Financave, Petrit Malaj, i cili gjatë një konference për mediat tha se për të arritur këtë qëllim po punohet për një reformë të re.

“Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit.”

Teksa foli për sfidat e tij në krye të financave të vendit, ai theksoi se prioritet mbetet përmirësimi i stabilitetit makroekonomik.

“Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sektorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi. Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft”.

Sa i përket borxhit, ai tha se deri në fund të vitit parashikohet ulje e tij me 0.57 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %.

Tv Klan