Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte disa ndryshime të propozuara në Kodin Penal në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme në kohë epidemie.

Pas përfundimit të seancës plenare, Kryeministri Edi Rama pati një prononcim të shkurtër për mediat. Ai u shpreh se sot është bërë një punë e mirë pasi është plotësuar një boshllëk në Kodin Penal.

Për më tepër sipas Ramës, ndryshimet u miratuan në një fazë ku vendi po përgatitet të hyjë në një proces të hapjes graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit të jetës. Rama tha se ndryshimet e reja janë harmonizuar me ekspertët e Presidentit Ilir Meta.

“Kemi rezultate të shkëlqyeshme në frontin e luftës në shëndetësi. Pavarësisht se kemi humbje jete, në tërësi kjo situatë lexohet gabimisht nga një pjesë e njerëzve që kujtojnë se iku kjo punë. Prandaj në këtë mënyrë na duhet të garantojmë hapjen dhe të lehtësojmë një proces që ka ndikuar në ekonominë familjare dhe kombëtare. Mendoj se është bërë gjëja e duhur. Kemi pasur një takim të dobishëm në Këshillin e Sigurisë. Për të adresuar këtë problem në kohë, për të mos pasur pengesa të zgjatjes proceduriale kemi diskutuar edhe me Presidentin. Jemi harmonizuar përmes ekspertëve të parlamentit dhe Presidentit. Është arritur një përfundim që mendoj adreson edhe shqetësime legjitime të shprehura nga faktorë të tjerë”, tha Rama.

Rama u pyet rreth mbledhjes online të Këshillit të Sigurisë. Ai u shpreh se ka pasur debate me kryetarin e opozitës Luzim Basha, por që i cilësoi ato si konstruktive.

Madje, theksoi se nëse ky pozicionim i palëve do të ishte i njëjtë edhe në jetën politike publike, politika shqiptare do të ishte ndryshe për njerëzit.

“Po të mos kishte debate pse u bë mbledhja? Nuk u mblodhëm për tu parë në sy dhe për të qeshur me njëri tjetrin. u mblodhëm për të shkëmbyer opinione. Nuk është e rëndësishme sa shumë biem dakord, por cilësia e debatit dhe mënyra sesi edhe kur nuk biem dakord bën diferencën. Mendoj që nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta dhe pozicionimi i kundërt do të ishte në jetën politike publike si mbledhjet e fundit të Këshillit, politika do të ishte shumë më e qëndrueshme, e pranueshme për njerëzit”. /tvklan.al