Flet për France 24: Shqipëria, në pararojë me Reformën në Drejtësi

Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj integruese drejt Bashkimit Europian nëse ngërçi mes Sofjes dhe Shkupit do të vijojë. Ashtu siç kishte deklaruar edhe para Samitit të Këshillit Europian, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama edhe gjatë një interviste për Francë 24 ka bërë të ditur se në kushtet e asaj që ai e konsideron çmenduri bullgare, Shqipëria është e detyruar të ndahet në rrugën e saj drejt BE-së.

 “Nëse kjo çmenduria e Bullgarisë do të vazhdojë ne duhet t’i ndajmë rrugët tona në këtë proces. Ne do të jemi së bashku në Ballkanin e Hapur ne jemi fqinj dhe ne po përpiqemi të krijojmë lidhje të ngushta me Maqedoninë e Veriut dhe me të gjithë fqinjët e tjerë, sepse Ballkani Perëndimor është hallka më e dobët e Evropës dhe është i dobët karshi agresionit rus dhe konfliktit. Ajo që më duket e neveritshme në qëndrimin e Bullgarisë është mënyra si po e bëjnë këtë, sepse Maqedonia e Veriut nuk është aty të bëhet anëtarë e Bashkimit Evropian, ata mund ta bllokojnë në çdo moment, është aty për të nisur negociatat që do të kërkojnë vite”, tha Rama.

Zemëratën ndaj Unionit dhe Bullgarisë, Rama nuk e fshehu edhe në një intervistë të dhënë më herët për Francë 24, teksa kërkoi një zgjidhje të situatës.

“Ky është spektakël fuqie e duhet të gjendet një rrugë për t’u shkëputur nga kjo. Nuk duhet të bëhet mekanizëm për marrjen peng të disa vendeve për arsye të brendshme të një vendi apo të një tjetri. Është e vërtetë, isha i zemëruar, por isha i zemëruar me Bullgarinë. Po, jam i trishtuar, por në këtë rast jam i trishtuar për Bashkimin Evropian jo për Shqipërinë. Është njëlloj fuqie që të frikëson.”

Mbështet propozimin e bërë nga Presidenti Macron për fillimin e një komuniteti politik europian, një entitet i ndryshëm nga ai i BE-së që do mundësonte forcimin e lidhjeve mes vendeve joanëtare, por se fsheh aspak skepticizmin e Francës ndaj zgjerimit.

“Kjo ide është e duhura, kjo është ajo çfarë duhet në këtë moment, sepse nuk mund të themi zgjerim, zgjerim, zgjerim dhe veçse për zgjerim apo për t’u zgjeruar nuk flitet. Nuk është hera e parë që një president francez hedh ide të tilla, edhe Nicolas Sarkozy foli për qarqe, nuk është sekret që Franca nuk është një vend shumë entuziast për zgjerimin, te kërkosh në Francë një konsensus për zgjerim është si të kërkosh arin në shkretëtirën e Arabisë Saudite, por nga ana tjetër ka shumë kuptim.”

Mohoi që shkak i mosndezjes së dritës jeshile të jenë problemet me shtetin e së drejtës dhe mos avancimi i Reformës në Drejtësi.

“Shqipëria është në pararojë të vendeve të rajonit. Ne vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi, që është konsideruar nga të gjithë si një model.

Dhe si shembull të funksionimit të Reformës në Drejtësi solli proceset gjyqësore të nisura ndaj funksionarëve të lartë brenda radhëve të maxhorancës.

“Sot nuk ka vetëm një rast, por disa raste. Ne kemi marrë përsipër sfidën e madhe për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe e kemi thënë. Nuk e reformojmë për të thënë tanët janë të paprekshëm e tuajët janë të dënueshëm. Kjo reformë është për të gjithë. Për këtë arsye në Shqipëri ka sot një sistem drejtësie që ka nisur të bëjë hetime, por nuk është ende ne standardet e një vendi të BE-së, siç është Franca. Ka një sistem drejtësie, i cili mund të bëjë hetime dhe procese gjyqësore për cilindo.”

Rama komentoi edhe vendimin e Unionit për dhënien e statusit të vendit kandidat të Ukrainës e Moldavisë, duke e cilësuar si një proces që ndihmon në optimizmin e dy vendeve, të cilat sipas kryeministrit kanë një rrugë të gjatë përpara.

Tv Klan