Urimet për Ditën e Verës, si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kreu i opozitës Lulzim Basha zgjodhën t’i bëjnë nga qyteti i Elbasanit, i kthyer tashmë në qendrën e festimeve për 14 Marsin.

Në panairin “Dita e Verës 2018”, një event tradicional promovues, Kryeministri u takua me përfaqësues të bizneseve.

Krahas transformimit që ai thotë se ka pësuar ky qytet, ajo që më së shumti vlen për këta banorë është krijimi i mundësive për punësim.

“Ajo që është më e rëndësishmja është që të fuqizojmë vazhdimisht mundësitë e njerëzve për të pasur më shumë punësim, për të pasur më shumë ekonomi, për të pasur më shumë siguri për të nesërmen. Natyrisht kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet. Por ndërkohë, hap pas hapi çdo ditë, diçka po bëhet në funksion të një të nesërmeje që jam i bindur do të shkëlqejë si kjo ditë vere”,

u shpreh Kryeministri Rama.

Me përfaqësues të bizneseve që merrnin pjesë në këtë panair, u takua edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha, i cili i kërkoi qeverisë që të çlirojë nga barra fiskale disa kategori biznesi, mes të cilëve prodhimet artizanale, atë të mbledhjes së mjaltit dhe panelave fotovoltanike për prodhimin e energjisë.

“Këto tre sektorë meritojnë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti, meritojnë mbështetje me ulje dhe pse jo heqje në disa raste te taksave dhe me subvencione për të krijuar një atmosferë sa më pozitive për punësimin. Të sjellë shpresën”

, tha Lulzim Basha.

Një mesazh urimi për Ditën e Verës ka përcjellë edhe Presidenti Ilir Meta.

Tv Klan