Kryeministri do të marrë pjesë në forumin e diplomacisë në Antalya, të pranishëm edhe zyrtarë të lartë evropianë.

Dy ditë para se të mblidhet Këshilli i Ministrave të BE-së për çështjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në forumin e Diplomacisë që do të zhvillohet në qytetin bregdetar të Turqisë, në Antalia, në datat 18-20 Qershor.

Me titullin “Diplomacia inovative”, Forumi do të mbledhë dhe liderë të shumtë nga Bashkimi Europian, përfshirë përfaqësuesin e Lartë të BE për Punët e Jashtme, Joseph Borrell, zëvendëspresidenti i KE-së, Margaritis Schinas apo dhe komisioneri Mathias Cormann.

Forumi do të hapet nga presidenti turk Erdogan, dhe do të pasohet nga një panel i udhëheqësve të tjerë europianë e jo vetëm.

Ky forum mbahet shumë pak ditë para se ministrat europianë të vendosin nëse do të caktohet Konferenca e parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kushtet kur konflikti me Bullgarinë nuk ka ende gjasa për t’u shuar.

Kujtojmë që kryeministri Edi Rama pasditen e së martës do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të lartë të politikës bullgare me të cilët pritet të ketë diskutime edhe për çështjen e negociatave dhe rrugëtimin e dy vendeve drejt BE.

Klan News