Edhe një javë e mbyllur nga rregullat e karantinës

Kufizimet e karantinës do të mbeten në fuqi edhe javën që vjen. Nga profili i tij në Facebook, Kryeministri Rama njoftoi se lufta e nervave do të vazhdojë ende.

“Kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në Tiranë dhe në qytetet tona“.

Kufizimi i makinave do të vazhdojë edhe për dy fundjava, për t’u rikthyer sërish nga Tetori deri në Marsin e vitit tjetër, tha Rama.

“Por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela, për t’u rikthyer pas sezonit të verës çdo të diel minimalisht, nga Tetori dhe deri në Marsin e ardhshëm, si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit, mjedisit tonë“.

Sharjet dhe ankesat e plazhistëve, nuk ia kanë ndryshuar mendjen. “Nuk do të bej të mirin” tha Kryeministri, kur njoftoi se plazhet do të hapen për hotelet nga data 1 Qershor dhe nga 10 Qershori për të gjithë.

“Greqia ka vendosur t’i hapë plazhet në Korrik, të tjerë nuk kanë vendosur ende. Ndërsa ne do t’i hapim nga 1 Qershori vetëm për hotelet dhe pas 10 Qershorit për të gjithë pa përjashtim.”

Kufijtë me vendet fqinje do të hapen nga e hëna e 1 Qershorit, u shpreh Rama, që solli si shembuj masat e karantinës në disa vende europiane.

Tv Klan