Rama: Mazi ishte një nga emrat konsensual për President

Si tregues më domethënës se Zef Mazi ishte kandidatura më e mirë për të drejtuar negociatat e antarësimit në BE, Kryeministri rikujton se ai ishte një nga emrat konsensual të propozuar për President të Republikës.

E në prezantimin publik të kryenegociatorit një pjesë e mirë e fjalimit të Kryeministrit ishte për profilin e tij të lartë.

Rama kërkon nga të gjitha palët të përfshihen jo vetëm me fjalë për t’u përgatitur për konferencën e parë ndërqeveritare edhe pse Presidenti e akuzoi se edhe planin e veprimit e shkruajti pa marrë parasysh sugjerimet e institucioneve të tjera. Por i pyetur për këtë e ka një përgjigje që rrëzon kreun e shtetit.

“Pretendimet që burojnë nga axhenda politike janë pjesë tjetër”.

Vete z.Mazi, i sapokthyer në atdhe pasi ngeli jashtë kufijve për shkak të pandemisë, siguron se Presidenti dhe opozita do të jenë palë me të cilat komunikimi do të jetë i pazëvendësueshëm.

Rama nuk jep datë për hapjen e negociatave, dhe arsyen e ka të përsëritur tashmë.

“Kur ata thonë në Vjeshtë, ti mendoji të katër stinët që të jesh në rregull”.

Kryeministri nuk pranoi të komentonte disa deklarata të bëra nga një ish-ushtarak turk në mediat e Stambollit, se ishte pikërisht ky vend që arriti të prishte marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Kazan ka dhe në Turqi, dhe një kazan në Angli dje që thoshte shqiptarët hanë arinj nëpër restorante. Arinj ka sa të duash në Shqipëri, por nuk janë për shitje, i kemi kështu në proces dialogu”.

Tv Klan