Kryeministri është përfshirë sërish në replika me mediat italiane. “La Republika” ka publikuar një shkrim që e titullon: Rama heq dorë nga Meloni, marrëveshja për emigrantët do jetë një dështim.

Shkrim që i referohet një bashkëbisedimi që gazetari Gerardo Greco ka zhvilluar në një kafe në një hotel të njohur në Tiranë. Por kryeministri e përgënjeshtron jo vetëm deklaratën për marrëveshjen, por dhe faktin se ka dhënë intervistë, sipas tij ishte thjeshtë një bashkëbisedim miqësor.

“Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë. Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes-shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”, ku nuk e gjej aspak veten.”

Gjithesesi, kryeministri siguron se nuk ka kthim pas për marrëveshjen me ngritjen e kampeve të azilkërkueseve në Gjadër.

“Megjithatë, e përsëris: Edhe po të kthehesha një qind herë pas, sërish do ta bëja marrëveshjen për migrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithnjë që, sipas meje, është diçka e re që duhet të kalojë provën e realitetit. Pastaj, nëse për realitet merret një foto e publikuar nga një kantier orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura kot”, atëherë jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afrojë.”

Reagimin e tij, kryeministri shqiptar e mbyll me qëndrimin tij mbi sfidën që Europa ka në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm.

Tv Klan