43% e të prekurve, probleme me depresionin dhe ankthin

Tërmeti i 26 Nëntorit rriti varfërinë e banorëve të prekur prej tij. Në raportin e dëmeve, të përgatitur nga qeveria, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, thuhet se rreth 19 % e popullsisë ose e thënë ndryshe 26 mijë persona të prekur nga tërmeti, rezultojnë në varfëri.

Në raportin e dëmeve nënvizohet fakti se niveli i varfërisë pas tërmetit u rrit me 2.3 %.

Efektet në varfëri mund të zgjerohen pasi përveç ndikimit të drejtpërdrejtë tek ata që u prekën nga humbja apo dëmtimi i pronës, shumë banorë vuajnë indirekt përmes humbjeve në aktivitetin ekonomik dhe përkeqësimit të shëndetit.

Pas tërmetit, rreth 9.2% e familjeve në rrethet e prekura u zhvendosën nga banesat e tyre, dhe afër 1/3 e 9.2 % nuk ​​ishin kthyer në fund të Dhjetorit 2019.

Sipas raportit, të anketuarit thonë se aftësia e familjeve për të paguar shpenzimet e zakonshme tregon një prirje në rënie pas tërmetit krahasuar me para tërmetit.

Pasoja pati edhe në shëndetin e banorëve. Rreth 5.6% e popullatës raportoi humbje të kujtesës, vështirësi në shikim, dëgjim dhe përqëndrim.

Për shkak të tërmetit, rreth 43% e njerëzve në rrethet e prekura raportuan rraskapitje emocionale, probleme me gjumin, depresionin dhe ankthin dy javë pas ngjarjes.

Tv Klan