Për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës dërgohet notë proteste drejt RMV-së lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani. Lajmin për Klan Maqedoni e konfirmuan nga ambasada e Kosovës në vend dhe  ish-ambasadori i Kosovës Gjerë Dedaj. MPJ e Kosovës  pas dërgimit të notë protestës kërkon sqarim sa më të shpejt të rastit. Heshtin autoritetet në Shkup.

Ambasada e Kosovës në RMV dhe ish-amasadori i Kosovës Gjerë Dedaj për Klan M konfirmojnë se është hera e parë që Kosova dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Sipas ish-ambasadorit Dedaj, incidenti nuk duhet të ndikoj në marrëdhënet mes dy shteteve.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.

Nga MPJ thonë se marrëdhëniet dy palëshe mes Shkupit dhe Prishtinës janë pozitive dhe të njejtat po ruhen në frymën e dialogut të vazhdueshëm. Thonë se do të ndërmerren masa të nevojshme.

 “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Mbrëmë reaguan edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës nga ku fajësojnë autoritetet zyrtare në Shkup për mos pranim të fajit dhe mos zbardhjen e rastit.

“Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale. Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”,

Nga Presidenca e Kosovës incidentin e kanë cilësuar si provokim dhe incident diplomatik.

Klan News