Dërgesat e emigrantëve në fund të vitit 2018 kapën shifrën më të lartë që prej vitit 2010. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rezulton se gjatë vitit të shkuar emigrantët kanë sjellë në Shqipëri 670 milionë euro.

Në 6 vitet e fundit paratë që vijnë nga jashtë në formën e remitancave kanë njohur vetëm trajektore rritëse. Për vitin e shkuar kontributi i emigrantëve në prodhimin kombëtar arriti në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Numri i emigrantëve në 2018-n u ul me 3% krahasuar me një vit më parë, duke shkuar në 38 mijë e 703 persona, por pavarësisht kësaj, sërish ata vazhdojnë të sjellin një kontribut të rëndësishëm në ekonomi.

Të ardhurat prej tyre janë sa 70% e investimeve të huaja direkte. Mesatarisht shqiptarët që punojnë jashtë vendit dërgojnë në Shqipëri 56 milionë euro çdo muaj.

Tv Klan