Procesi i skanimit të kontratave të mënyrës se si janë zbatuar koncesionet e hidrocentraleve të vegjël është duke vazhduar, ndërsa deri tani kanë nisur procedurat për prishjen e njëanshme të 17 lejeve të lëshuara nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e HEC-eve. Në fazën e fundit, u revokuan 9 prej këtyre lejeve.

“Nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës, numri total i praktikave për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste.”

Shkeljet më të shpeshta që janë konstatuar lidhen me mosrespektimin e afateve proceduriale të ndërtimit të hidrocentralit dhe moszabtimin e kritereve ligjore në lejet që janë lëshuar nga institucionet.

“Janë marrë të gjitha masat për të adresuar problematikat e identifikuara deri më sot, ku më frekuentet janë: Mosrespektimi i afateve procedurale; Mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara.”

Ministria e infrastrukturës është duke përpunuar problematikat e dala nga procesi i skanimit të 344 kontratave koncesioanre të hidrocentraleve dhe do të bëjë ndërhyrje në aktet ligjore për të vendosur rregulla të reja gjatë firmosjes së kontratave në të ardhmen.

Tv Klan