FSHF dëshiron që t’i besojë trajnerit Sylvinho edhe për rrugëtimin drejt Botërorit 2026.

Institucioni i futbollit dhe tekniku 50 vjeçar kanë zhvilluar bisedimet e para në lidhje me rinovimin e kontratës, me përfundimin e kampionatit europian. Dëshira është nga të dyja palët që bashkëpunimi të vazhdojë dhe tekniku brazilian të punojë me kuqezinjtë.

Paraqitja e përfaqësueses dhe projekti i Sylvinhos dhe stafit të tij janë vlerësuar nga FSHF, që kërkon që braziliani të vazhdojë të jetë në krye. Pritet që tekniku të rinovojë shumë shpejt pas dakordësisë së parë mes palëve.

Sylvinho-s dhe stafit të tij do t’i plotësohen kushtet e kërkuara, ndërsa detyra e tyre do të jetë që të sigurojnë kualifikimin historik për në Botërorin e radhës në 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Puna e bërë nga Sylvinho me kombëtaren kuqezi tërhoqi vëmendjen edhe të klubeve të tjera në Europë. Pavarësisht interesimit, braziliani mendon se ende nuk e ka mbaruar punën e tij te kuqezinjtë dhe është gati për një objektiv të ri, ta çojë Shqipërinë në kampionatin botëror.

Klan News