Pas 48 orësh në arrati, vëtëdorëzohet në drejtorinë e policisë së Tiranë, polici Erjon Goxhara. Pas shumë orësh tratativa mes familjarët dhe policisë, 46-vjeçari ka shkuar në Drejtorinë e Tiranës duke dorëzuar dhe armën që kreu krimin. Ai kërkohej kryesisht në zonë e Freskut dhe të Dajtit, por kontrolle ka pasur dhe në Memaliaj, në vendin e origjinës së tij. Për prangosjen, policia kishte vendosur 10 mijë euro shpërblim.

Klan News ka mësuar se Goxhara e kishte planifikuar plagosjen e Lorenc Kostës, ngjarje që ndodhi të hënën në Komunën e Parisit.

Nga grupi hetimor mësohet se mëngjesin e së hënës, 46-vjeçari së bashku me bashkëshorten dhe nipin janë takuar në një qendër tregtare në periferi të Tiranës. Takimi mësohet se është shoqëruar gjatë gjithë kohës me debate dhe tension. Nga dëshmitë e marra nga agjentët e policisë, rezulton se, Goxhara i ka kërkuar bashkëshortes të kërkojë falje për tradhtinë, por ajo nuk ka pranuar.

Pas këtij takimi, ai planifikoi hakmarrjen ndaj kolegut të bashkëshortes. Sipas grupit hetimor, efektivi i policisë ka mbajtur në vëzhgim të gjitha lëvizjet e 45-vjeçarit Kosta. Pasi kreu krimin, ai telefonoi djalin dhe i kërkoi ta priste tek rrethrrotullimi i Shkozës. Pasi morën taksi, u larguan në drejtim të zonës së Freskut. Aty u pikasën nga dy agjentë policie, të cilët arritën të ndalojnë vetëm djalin e mitur dhe jo kolegun e tyre, i cili u largua me vrap mes pallateve.

Në deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore në prezencë të psikologut, djali i mitur konfirmon konfliktet mes prindërve të tij që nga mesi i Korrikut, kohë kur sipas tij, e ëma pranoi dyshimet e Goxharës për lidhjen jashtë martesore me Kostën.

Klan News