Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bilslimovski, ka paralajmëruar se rryma elektrike nga muaji i ardhshëm do të shtrenjtohet me 9.48%. Në press-konferencën të enjten, ai tha se me planin e ri nga 1 Janari do të hiqet tarifa e lirë ditore për rrymën, kurse do të mbeten tarifa e lirë e natës dhe e së dielës.

Bislimovski ka potencuar se shtrenjtimi duhej të ishte shumë më i madh, por për shkak të vendimit të Qeverisë që t`u ndihmojë me masa ekonomike kompanive energjetike, shtrenjtimi për biznesin dhe amvisëritë është më i vogël.

“Rritja reale do të ishte shumë më e madhe, por arritëm të shkurtojmë shumë harxhime dhe në mënyrë plotësuese Qeveria mori obligimin t`u ndihmojë kompanive shtetërore në periudhën e ardhshme”, tha Bislimovski.

Çmimi i ri i rrymës elektrike në tregun e rregullt do të vlejë për gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm. Të gjitha kompanitë energjetike kishin kërkuar rritjen e cmimit të energjisë elektrike. Bislimovski bëri të ditur se nëse nuk hiqej tarifa e lirë e ditës, rritja e çmimit të rrymës elektrike do të shkonte në 14.23%.

Ai tha se Evropa dhe RMV-ja përballen me një nga krizat më të mëdha energjetike dhe u bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë duke shtuar se kjo rritje prej 9.48% është minimumi që mund të bënte Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Klan Macedonia