Ceremoni përkujtimore për vrasjen e policit në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës post-mortem” rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku që ra heroikisht dje në veri në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial. Këtë urdhër e kanë pranuar familjarët e tij.

“Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njëri që me profesionalizëm e me përkushtim ju dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha presidentja Osmani.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri Albin Kurti. Ai tha se Kosova veproi me maturi dhe në përputhje me natyrën e saj perëndimore.

“Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj. Faktet dolën sheshazi para syve tanë, para bashkësisë ndërkombëtare, para secilit që ka kurajë dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, tha Kurti.

“Sot përballë e pranë portretit të Afrim Bunjakut dhe përballë veprës së tij heroike përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujdes”, shtoi më tej ai.


Afrim Bunjaku humbi jetën si pasojë e një sulmi të kryer nga një grup personash të armatosur në veri të Kosovës. Kjo ngjarje mjaft e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në hyrje të fshatit Banjskë, që banohet me shumicë serbë. Persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.

Për pasojë mbeti i vrarë Bunjaku ndërsa u plagosën dy policë të tjerë që janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë së Kosovës agresorët kanë qenë rreth 30 persona, një pjesë e të cilëve u mbyllën pas ngjarjes në Manastirin e Banjskës. Pas operacionit që zgjati rreth 17 orë, autoritetet kosovare njoftuan se vranë 3 sulmues dhe arrestuan 2 të tjerë. Po ashtu janë vënë në pranga edhe 4 persona të dyshuar të cilët kanë qenë në përdorim të paligjshëm të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist.

Policia e Kosovës u shpreh se gjatë kontrollit të ushtruar në manastirin e Banjskës janë gjetur dhjetëra, qindra armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, mitralozë apo dhe kallashnikovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli 25 Shtatorin ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës./tvklan.al