Reshjet e dendura të shiut ditët e fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëmtime në toka bujqësore, rrugë dhe ura të ndryshme. Në redaksinë e Tvklan.al në rubrikën “Kallëzo”, një qytetar denoncoi shembjen e urës në fshatin Sang të Bashkisë së Mirditës.

Kjo urë sipas tij shërben për të lidhur tre fshatra me qendrën, ku mund të marrin shërbim mjekësor, apo edhe ushqime. Sipas qytetarit bëhet fjalë për rreth 600 banorë të fshatrave Hebe, Dom Gjon dhe Sang që janë të izoluar dhe nuk kanë ku të shkojnë në rast rreziku.

Denoncuesi bën thirrje që të bëhet e mundur rregullimi i urës.

“Shkoni se në ç’gjendje është ura. Kjo është një urë që lidh tre fshatra, Hebe, Dom Gjon dhe Sang. Kjo është domosdoshmërisht e nevojshme për fshatrat. E vetmja gjë që ka ngelur nga kjo urë janë këto tre katër turbina që shërbenin si diçka për të kaluar ujin. Besoj shikohet tepër qartë. Ju bëj thirrje të gjitha organeve që të vendosin dorë dhe të bëjnë të mundur rregullimin e kësaj ure një orë e më parë për arsye se kjo është ura e vetme ku ne mund të kalojmë nuk kemi asnjë mënyrë tjetër kalimi. Në rast të ndonjë rreziku, sëmundje, apo larg qoftë vdekje, ne jemi totalisht të izoluar. Jemi rreth 600 banorë të këtij fshati që banojnë aktualisht në këto 3 fshatra të kësaj zone, ku ura e vetme lidhëse është kjo që na lidh me spitalin, me dyqanet, me Rrugën e Kombit, me shkollën, pa këtë urë nuk kemi se ç’bëjmë, ditën e hënë fillon shkolla dhe unë nuk e di si do të shkoj në shkollë”, shprehet ai./tvklan.al