Kërkohet rritja e masave të sigurisë në RMV

151 vjet pas lindjes së Goce Dellçevit, figura e tij ende po u sjell problem dy popujve që pretendojnë se kanë autorësinë ndaj veprës së tij. Më 4 shkurt, kur edhe është ditëlindja e tij, paralajmërohen vizita nga grupe ultra-nacionale bullgare, por edhe maqedonase, e kjo mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike. Edhe pse Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe kërkoi që të merren masa, Ministria e punëve të Brendshme nuk po shpejton në marrjen e vendimeve.

“Po punojmë së bashku me Agjencinë për Siguri Nacionale, shkëmbejmë informata dhe në bazë të këtyre informatave MPB do të marrë vendime për mbrojtjen e qetësisë dhe sigurisë dhe ajo që është më e rëndësishme, mbrojtja e interesit kombëtar”.

Spasovski nuk mohon se ka struktura radikale që për interesa personale dëshirojnë ta prishin procesin e stabilizimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, por vendimet duhet të merren duke u bazuar në interesat nacionale, tha ai.

E incidenti i fundit në Ohër, ku u sulmua fizikisht një bullgar, i cili pohon se kjo u bë për shkak të bindjeve të tija, i përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet. Shefi i diplomacisë informoi se autoritetet bullgare tanimë kanë reaguar tek institucionet ndërkombëtare për këtë incident.

“Vizita ime në Sofje është pikërisht në këtë drejtim. Unioni evropian e ka regjistruar këtë vizitë si mesazh se këtu nuk ka politikë shtetërore të diskriminimit”.

Megjithatë, ai kërkon masa më të ashpra dhe vendime më të guximshme me qëllim që mos të lejohet që gjuha e urrejtjes të bëhet përditshmëri në marrëdhëniet me Bullgarinë.

Klan Macedonia